Haxhi, njëri nga pesë kushtet e Islamit
Haxhi është një nga pesë kushtet e Islamit i cili bëhet në një kohë të caktuar dhe vend të caktuar. Haxhi është bërë obligim në vitin e nëntë hixhri. Haxhi është një obligim i cili bëhet me pasuri dhe trup. Për ata besimtarë që posedojnë kushtet e haxhit e kanë obligim kryerjen e tij të paktën një herë në jetën e tyre. Siç ka urtësi të ndryshme në kryerjen e obligimeve tjera ashtu ka edhe në kryerjen e obligimit të haxhit.
Shkuarja për të kryer obligimin e haxhit në tokat e shenjta, takimi me vëllezërit besimtarë të cilët vijnë nga shtete të ndryshme të botës, të cilët janë me ngjyra të ndryshme, të cilët flasin gjuhet e ndryshme, të cilët kanë zakone të ndryshme në këtë vend dhe në këtë kohë argumentojnë vëllazërimin në Islam.
Gjithashtu forcon mardhëniet dhe vëllazërimin midis myslimanëve nëpër botë. Kryerja e obligimit të haxhit ndikon pozitiviisht edhe në njohjen e njerëzve me njëri-tjetrin konsumimi i problemeve që kanë dhe mundimi për kryerjen e problemeve të njëri-tjetrit. Me shkuarjen në haxh tek besimtarët ka shumë dobi të ndryshme siç është dhe largimi i stresit të jetës monotone të përditshme.
Në kryerjen e haxhit me veshjen e ihramit si i pasuri ashtu dhe i varfëri janë të barabartë, aty të kujton ditën e mahsherit (ringjalljes) ku të gjithë do të jene në një fushë të madhe dhe asnjërit nuk do i bie në mend të shohin anash se kush është më i pasur apo më i varfër. Të shohësh vendin ku ka lindur Pejgamberi a.s., të shohësh vendin ku Islami ka filluar të përhapet në të gjithë botën kjo i jep një emocion të pa përshkruar besimtarit.
Të shkelesh aty ku ka shkelur Pejgamberi a.s., të vësh kokën në sexhde aty ku Pejgamberi a.s. bashkë me shokët e tij ka vënë kokën në sexhde kjo është e mjaftueshme për besimtarin që ta kuptojë se sa me fat është që All-llahu xh.sh. e ka shkruar në listën e besimtarëve. Besimtari i ndien veten e tij më afër All-llahut xh.sh. në kryerjen e haxhit. Ashurimet që bën në këtë vend shpërblehet shumë fish nga All-llahu xh.sh..
Kush kryen haxhin për hirë të All-llahut xh.sh. dhe kthehet në vendin e vet pa i bërë keq haxhinjëve ose krijesave të tjera, All-llahu xh.sh. ia fal gjitha mëkatet përveç të drejtën e robit të cilën e ka vetë robi në dorë. Pejgamberi a.s. thotë: "Kush kryen haxhin për All-llahun xh.sh. dhe ruhet nga fjalët dhe veprat e shëmtuara, All-llahu xh.sh. e fal atë sikur ka lindur nga nëna e tij", (Rijadus-Salihin, V.2 Fq.521).
Kush e ka obligim dhe kur e ka obligim kryerjen e Haxhit?
Ata të cilët posedojnë kushtet e mëposhtme e kanë obligim haxhin:
1. - I mençuri.
2. - I arrituri në moshën e pjekurisë.
3. - Myslimani.
4. - I liri (jo i burgosuri apo skllavi).
5. - Të diturit se haxhi është obligim për besimtarët të cilët kanë mundësi për të shkuar. Ky kusht është për ata të cilët jetojnë në shtete jo Islame të cilët kanë pranuar Islamin, për shtetet Islame ky nuk quhet kusht për arsye se të gjithë e dinë se ky është një obligim.
6. - Të kenë kryer nevojat personale dhe familjare në mënyrë që derisa te kthehet nga haxhi familja mos te jenë nevojtare.
7. - Të kenë me vete aq para sa për të përballuar nevojat e tij gjatë rrugës dhe gjatë kryerjes së haxhit.
8. - Të arrijë në kohën e caktuar të haxhit.
Kushtet për kryerjen e haxhit:
1. - Të jesh i shëndetshëm, (të mos jesh qorr apo ndonjë sëmundje tjetër që të pengon të kryesh obligimin e haxhit),
2. - Të mos kenë ndonjë pengesë për të shkuar në haxh si në burg apo diçka të ngjashme.
3. - Të jenë i sigurtë gjatë rrugës.
4. - Bashkë me gruan të jenë burri apo ndonjëri që nuk lejohet të martohet me të.
5. - Të kenë mbaruar koha e pritjes së gruas të cilës i ka vdekur burri ose është divorcuar.
Vaxhibet e Haxhit:
1. - Qëndrimi në Muzdelife.
2. - Vrapimi (Sa'j) midis kodrave Safa dhe Merve.
3. - Gurëzimi i shejtanit.
4. - Prerja ose rruajtja e flokëve.
5. - Bërja e rrotullimit (tavafit) të lamtumirës.
Kushtet që haxhi të bëhet i saktë:
1. - Ihrami (veshja e veçantë për bërjen e haxhit).
2. - Koha (muaji dhilhixh-xheh).
3. - Vendi (Qabja dhe Arafati).
4. - Islami (të jesh mysliman).
Autor: Ardit HOXHLLAKU